Tuesday, June 1, 2010

Roli i gruas në mekanizmin shtetëror

Çështja për një pjesëmarrje të barabartë dhe të drejtë është baza e një demokracie ideale që mbështet energjikisht integrimin e gruas në politikë, por dhe në fusha të tjera të vendimmarrjes, duke i krijuar kështu mundësi aplikimi për të nxjerrë në sipërfaqe probleme të dukshme të vetë sistemit. Kjo do të përforcohej dhe përmes integrimit të një fushe siç është sfera publike, duke shfaqur kështu se pozicioni i gruas në shoqëri dhe në përgjithësi pozicioni gender luan një rol të rëndësishëm në politikë. Ekziston së tepërmi dhe një nevojshmëri, jo vetëm në decentralizimin e mekanizmave ekzistues dhe organizmave shtetërorë, por të ndryshojnë stereotipat dhe politikat e një diskriminimi kulturor vendor në përgjithësi.
Me fjalë të tjera, reformim në nivel të gjerë social që shoqërohet me ndryshime në jetën e përditshme në një raport dialektik dhe reciprok. Pra, ideja e barazisë gjinore nënkupton pjesëmarrjen në kushte të barabarta brenda një kuadri social dhe politik të një reforme dhe bashkëpunimi që duhet të ekzistojë mes shtetit dhe organizatave jo-qeveritare. Jo formë nga njëra anë forcon pozicionin e shtetit dhe inicion agjendën internacionale për të progresuar pozicionin e gender në një plan me iniciativa të reja. Partitë politike duhet të zhvillojnë pjesëmarrjen e gruas duke vendosur përqindje, ashtu siç është parashikuar por me kritere cilësorë dhe jo sasiorë duke përfshirë një pjesë kualifikuese të vetë grave drejt një udhe të madhe brenda politikës. Shtysa për ndryshime varet gjithashtu nga barazia e udhëheqjes politike të partive. Nëse marrim një shembull, Poloninë, që gratë fituan të drejtën për tu bërë gjykatëse, diplomate dhe ushtarake me rënien e diktaturës në vitin 1974. Pas 74’ është bërë një zhvillim i dukshëm në pjesëmarrjen e gruas në vende të larta në fushat e mësipërme, si në vendimmarrje ashtu dhe në partitë politike. Madje është miratuar një ligj për barazinë në pjesëmarrje dhe kushtëzon numrin proporcional si të meshkujve dhe femrave. Në këtë mënyrë, duhet të theksojmë diferencën cilësore që arrihet prej përfaqësimit në politikë të gruas me përcaktimin e programeve qeveritare, në rregullimin, në mbështetjen e shtetit ligjor dhe demokracisë. Jemi të mendimit se çështja e raportit të femrave me politikën, nuk duhet të perceptohet e njëanshme dhe e një grupi të caktuar, e ndarë nga grupi elektoral i zgjedhjeve. Realisht, “çështja e gruas” fsheh dhe çështjen e demokracisë aktuale në vetvete. Propozimi për inkurajimin e demokracisë mbështetet në investigimin e fillimeve të reja dhe procedurave të përafruara me ato të Bashkimit Evropian, për të pasur një themel të etikës politike. Sigurisht për të vepruar nuk duhet të presim arritjen e një demokracie të tillë. Përkundrazi përpjekja për një pjesëmarrje thelbësore të grave duhet të fillojë dhe të pranohet së pari nga vetë partitë dhe jo të detyruar nga mekanizma të jashtëm. Këto përpjekje do të përcjellin limite të reja në drejtësi, të individit, të marrëdhënies mes shtetit dhe qytetarit/es etj. Esencialisht do të realizohet një riperceptim i nocionit universal dhe arritjes së “programit demokratik” si një kategori e jetës.

No comments: