Wednesday, June 2, 2010

Gruaja dhe intelektualizmi

Plutarku, filozofi grek thotë: “Mund të gjejmë qytete pa bedena, pa sundimtarë, pa qytetërim, pa letërsi e pa teatër, por qytete pa tempuj adhurimi e pa banorë që falen e luten nuk u panë kurrë.”
Jam e mendimit se bedenat e vërteta janë pikërisht femrat dhe nëse rikujtojmë shkurtas disa nga gratë, përveç Klara Cetkin, që me përpjekjet dhe fjalët e tyre ngelën të pavdekshme në historinë e Lëvizjes Feministe Botërore. Një grua e tillë ishte Olimbia De Gus, në vitet e revolucionit francez për të drejtat e gruas ajo citonte se “ Gruaja lind e lirë dhe ka të njëjta të drejta si burri. Të gjithë qytetarët, meshkuj dhe femra janë të barabartë përballë ligjit”.
Flora Tristan në 1843 u drejtohej punëtoreve “Duke kërkuar drejtësi për vetveten, vërtetojeni së pari ju që jeni në këtë rrugë. Njihni ju gruan me të drejta të barabarta, dhe më pas kërkojeni tek shoqëria”. Por dhe utopisti, filozof francez Furie, thoshte se “ harmonia nuk do të rivendoset sa ne përjashtojmë gratë nga shkenca, puna, dhe i mbajmë skllave të gjilpërës, pa i integruar ato në tregun e vërtetë të punës”. Në fakt qytetërimi përfshin mjetet materiale dhe teknike, sistemet organizative, ligjet, shkollat, kutitë zgjedhore, etj. Ndërkohë që kulturën e formon stili jetësor, ai i të menduarit të një shoqërie, marrëdhëniet e përditshme, mënyra e shprehjes së njerëzve në art, letërsi, fe, etj.
Nëse i referohemi kohës, Rilindja është periudha e parë në historinë e lindjes, në të cilën femrat filluan reputacionin e tyre si artiste. Ecuria e grave artiste gjatë kësaj periudhe u shoqërua dhe me ndryshime të rëndësishme kulturore. Një ndryshim i tillë ishte lëvizja Humaniste (Renaissance humanism), një filozofi që vjen të mbështesë vlerat dhe barazinë për të gjithë njerëzit, e cila u bë thelbi i Rilindjes dhe ndihmoi në përmirësimin e pozicionit të femrës. Sigurisht që Humanizmi i Rilindjes i dha shansin dhe krijoi kushte për individin që të adoptohet, të përmirësohet dhe të fitojë terren. Për më tepër, identiteti i artistit/es u konceptua i rëndësishëm dhe kështu anonimati I artisteve ishte një e shkuar, e cila më në fund pushon së ekzistuari.
Dy materiale të rëndësishme, De mulieribus claris (Gratë e Famshme) e Vokakiut, e humanistit të madh të shekullit të 14-të, e cila ishte një përmbledhje biografike e femrave më të rëndësishme të asaj kohe dhe Christine de Pizzan "The Book of the City of Ladies" i japin vulën e vet këtij ndryshimi të madh kulturor. Të 104 biografitë në "De claris mulieribus" janë shembulli i parë i letërsisë së lindjes, që u kushtohet në veçanti femrave. Vokakiu vetë shprehet se kjo vepër u frymëzua nga libri i njëjtë i humanistit Italian dhe poetit, babait të Rilindjes Petrarhit në vëllimin "De viris illustribus".
Përmbledhja e Vokakiut frymëzoi personazhet e Christine de Pizan, në librin e saj “Libri i Qytetit të Femrave”, të Thomas Elyot (1490 -1546) në vëllimin «Mbështetje ndaj Grave të Mira», si dhe të Geoffrey Chaucer në « Mitet e Grave të Mira».
Këto për sa i takon vlerave të imazhit të gruas në art, ndërsa intelektualizmi është një faktor që e ka shoqëruar femrën vazhdimisht. Në këtë pikë nëse marrim për bazë hetimet e mëtejshme dhe nga statistikat pas vitit 2001 ( Traktati i UNESCO) del se femrat nëse ndodhen në kushte të barabarta rezultatet janë të mira ose dhe më të mira kundrejt meshkujve. Për shembull, në shumicën e vendeve të BE-së gratë që mbarojnë gradën universitare janë më të shumta në numër se meshkujt. Megjithatë, në vendet akademike në universitetet evropiane dhe kryesisht në organet e niveleve të larta vendimore mbizotërojnë meshkujt. Sipas Raportit Evropian ST Inidicators rezulton se numrin më të madh të të punësuarve femra në Universitete e përfshin Irlanda me 46%, më pas Portugalia me 45%, Greqia 44%, Finlanda 42%, Spanja 34, Suedia 33%, Franca me 32%, Belgjika me 28%, Austria dhe Gjermania me 26%
Është karakteristikë e rëndësishme e teknologjive të reja në kuadrin e Ekonomisë së Re, fakti se 80% e vendeve të punës në BE, vitet e fundit, janë vende kryesisht me teknologjitë e reja. Por femrat, duken sikur iu shmangen këtyre departamenteve duke pretenduar fushat teorike shkencore, fusha që përkojnë me një papunësi të madhe. Në universitete, tek teknologjitë e reja përfshihen vetëm 20% femra, pra meshkujt i kalojnë 2 apo 4 herë më tepër, ndërsa femrat përbëjnë 1/3 deri në ¼ e shkencave e personelit të laboratorëve shkencore.
Shkaqet e shmangies lidhen me parametra socialë dhe lidhen me stereotipa dhe paragjykime që inkurajojnë femrat për tu marrë me teknologjitë, duke mbyllur lakun e zgjedhjeve të tyre në karrierën e mëvonshme. Në fakt nëse i referohemi situatës aktuale na rezulton se pjesëmarrja e gruas në fushatën elektorale ishte domethënëse, por sigurisht mbetet akoma për të bërë. Këtu e kam fjalën tek pjesëmarrja e grave intelektuale, grave të artit në botën e politikës. Në fakt tregon një emancipim të vetë politikës, e cila sigurisht do të reflektojë për vitet e ardhshme dhe më konkretisht tek shoqëria shqiptare.

Tuesday, June 1, 2010

Roli i gruas në mekanizmin shtetëror

Çështja për një pjesëmarrje të barabartë dhe të drejtë është baza e një demokracie ideale që mbështet energjikisht integrimin e gruas në politikë, por dhe në fusha të tjera të vendimmarrjes, duke i krijuar kështu mundësi aplikimi për të nxjerrë në sipërfaqe probleme të dukshme të vetë sistemit. Kjo do të përforcohej dhe përmes integrimit të një fushe siç është sfera publike, duke shfaqur kështu se pozicioni i gruas në shoqëri dhe në përgjithësi pozicioni gender luan një rol të rëndësishëm në politikë. Ekziston së tepërmi dhe një nevojshmëri, jo vetëm në decentralizimin e mekanizmave ekzistues dhe organizmave shtetërorë, por të ndryshojnë stereotipat dhe politikat e një diskriminimi kulturor vendor në përgjithësi.
Me fjalë të tjera, reformim në nivel të gjerë social që shoqërohet me ndryshime në jetën e përditshme në një raport dialektik dhe reciprok. Pra, ideja e barazisë gjinore nënkupton pjesëmarrjen në kushte të barabarta brenda një kuadri social dhe politik të një reforme dhe bashkëpunimi që duhet të ekzistojë mes shtetit dhe organizatave jo-qeveritare. Jo formë nga njëra anë forcon pozicionin e shtetit dhe inicion agjendën internacionale për të progresuar pozicionin e gender në një plan me iniciativa të reja. Partitë politike duhet të zhvillojnë pjesëmarrjen e gruas duke vendosur përqindje, ashtu siç është parashikuar por me kritere cilësorë dhe jo sasiorë duke përfshirë një pjesë kualifikuese të vetë grave drejt një udhe të madhe brenda politikës. Shtysa për ndryshime varet gjithashtu nga barazia e udhëheqjes politike të partive. Nëse marrim një shembull, Poloninë, që gratë fituan të drejtën për tu bërë gjykatëse, diplomate dhe ushtarake me rënien e diktaturës në vitin 1974. Pas 74’ është bërë një zhvillim i dukshëm në pjesëmarrjen e gruas në vende të larta në fushat e mësipërme, si në vendimmarrje ashtu dhe në partitë politike. Madje është miratuar një ligj për barazinë në pjesëmarrje dhe kushtëzon numrin proporcional si të meshkujve dhe femrave. Në këtë mënyrë, duhet të theksojmë diferencën cilësore që arrihet prej përfaqësimit në politikë të gruas me përcaktimin e programeve qeveritare, në rregullimin, në mbështetjen e shtetit ligjor dhe demokracisë. Jemi të mendimit se çështja e raportit të femrave me politikën, nuk duhet të perceptohet e njëanshme dhe e një grupi të caktuar, e ndarë nga grupi elektoral i zgjedhjeve. Realisht, “çështja e gruas” fsheh dhe çështjen e demokracisë aktuale në vetvete. Propozimi për inkurajimin e demokracisë mbështetet në investigimin e fillimeve të reja dhe procedurave të përafruara me ato të Bashkimit Evropian, për të pasur një themel të etikës politike. Sigurisht për të vepruar nuk duhet të presim arritjen e një demokracie të tillë. Përkundrazi përpjekja për një pjesëmarrje thelbësore të grave duhet të fillojë dhe të pranohet së pari nga vetë partitë dhe jo të detyruar nga mekanizma të jashtëm. Këto përpjekje do të përcjellin limite të reja në drejtësi, të individit, të marrëdhënies mes shtetit dhe qytetarit/es etj. Esencialisht do të realizohet një riperceptim i nocionit universal dhe arritjes së “programit demokratik” si një kategori e jetës.